Asgjësimi i etikës

holta-heba-2

Nga Holta Heba*

Një veprim quhet joetik, jo vetëm kur nuk është i dënueshëm me ligj. Sjellje brenda etikës është ajo lloj sjelljeje që nuk është në dëm të individit, pavarësisht nëse është i dënueshëm me ligj ose jo.

Kanë ndodhur mjaft zhvillime pozitive sociale, megjithatë me keqardhje vëmë re se në shoqërinë e sotme etika e komunikimit është dëmtuar rëndë. Dëmi është tepër i dukshëm në komunikimin tonë të përditshëm, duke filluar që nga mënyra se si përshëndetemi, si i respektojmë të tjerët dhe se si iu japim zgjidhje problemeve që hasim.

Na duhet të pranojmë se elitarizimi i shoqërisë së sotme nuk mbështetet në lulëzimin e etikës si veçori e elitave, por në disa forma provinciale të përshfaqjes për t’u dukur si elitar. Duke dashur të largojmë notat pesimiste të këtij fenomeni që në të vërtetë pranohet nën zë, por që nuk thuhet dot me zë të lartë, jemi të vetëdijshëm se fatmirësisht ka ende një pakicë njerëzish që drejtojnë, sillen, mësojnë dhe flasin me edukatë e mirësjellje. Mirëpo kohët e fundit këto elemente nuk shihen më si vlera shoqërore. Një njeri i edukuar dhe i sjellshëm sot nuk shihet më si elitë apo si pjesë e mirë e shoqërisë, në rast se nuk di të bëjë “kapadaiun”.

Vlerat morale janë zëvendësuar me zhargone e sjellje të pahijshme, duke krijuar përshtypjen se “beteja” me qytetarinë është në avantazh pikërisht nga këto zhargone apo sjellje.

Njeriu i sotëm duhet të jetojë dhe të komunikojë në bazë të parimeve morale, ku këto të fundit janë pasqyrë e sjelljes së tij.

Etika në komunikim na ndihmon të kuptojmë se çfarë është në të mirë të përgjegjësisë për të qenë të mirëpranuar në shoqëri si dhe shembull i një brezi të mëpasshëm.

Mirëpo sot etika duket se ka marrë konotacione të ndryshme nga të qenit i sjellshëm, i edukuar dhe bashkëpunues në ndihmë të zhvillimit të shoqërisë moderne.

Duket sikur sot, nënvleftësimi i tjetrit, sidomos atij më të dobëtit po ia zë frymën etikës. Njeriu i suksesshëm është më i injoruar nga të tjerët për vetë faktin se ndjenja për “ t’i futur bërrylat” bashkudhëtarit apo kolegut, është më e madhe se sa dëshira e mirë për të respektuar atë dhe punën e tij.

Duket sikur komunikimit pozitiv me vlera i ka ardhur fundi dhe është zëvendësuar nga komunikimi negativ, ku sa më shumë të denigrosh dikë aq më fuqiplotë dhe i pushtetshëm shfaqesh te të tjerët.

Fitimi me çdo kusht i një emri në shoqëri e zhvlerëson etikën, e zhvesh atë nga parimet dhe vlerat e merituara, duke krijuar një shoqëri me komunikim negativ, ku vlera merr vetëm ai që nuk e respekton tjetrin.

Se sa i aftë apo jo është një individ për të zbatuar brenda normave të etikes të gjitha sjelljet dhe veprimtaritë e përditshme, këtë e tregon vetëm sjellja e tij brenda dhe jashtë kontureve të komunikimit me veten dhe tjetrin. Termi komunikim është mjaft i gjerë, pasi ne komunikojmë nga mëngjesi në darkë me të tjerët dhe kjo veprimtari e pashmangshme sigurisht kërkon një “ushtrim sistematik”, në mënyrë që të bëhet i pranueshëm etikisht dhe moralisht për shoqërinë.

Roli i etikës në sjelljen e individit mbetet i dyzuar midis komunikimit në rrethin e ngushtë (familjar, fisnor, klanor) dhe atij në rrethin me të gjerë përgjithësues (edukimi shkollor, marrëdhënia në punë etj). Duke qenë se ekziston ky dyzim në komunikim, paraqitet rreziku që individi përballë diferencave ndërmjet komunikimit më të ngushtë dhe atij më të gjerë, të mos ketë uniformizim të sjelljes dhe parimeve etike të tij. Si pasojë, individi del jashtë kontureve të një komunikimi etik. Atij i duhet të përballet me kultura, sjellje, temperamente dhe norma jashtë atyre që ka mësuar teksa ka ndërtuar bagazhin e tij konjitiv. Ndaj është e domosdoshme që individi të ketë një kod etik unik, pavarësisht konteksteve ku ai komunikon. Në komunikim, pavarësisht brezave, krahinave, formimeve të ndryshme, e rëndësishme është që mesazhi të komunikohet brenda normave etike dhe të mos mungojë ndjenja e komunikimit pozitiv. Një i ri që ka nevojë të mësojë, së pari, duhet të instruktohet për t’u integruar në shoqëri me ndjenjën e komunikimit pozitiv, si e vetmja mënyrë për të qenë shoqërisht i pranuar dhe me përgjegjësinë sociale për ta trajtuar tjetrin ashtu si do të donte ta trajtonin atë. Etika në vetvete është reduktuese e stresit në marrëdhënie të tensionuara dhe mirëmbajtëse e komunikimit, si dhe detyrimi i njeriut të sotëm në shërbim të zhvillimit. Jashtë etikës qëndron gjithçka shpërfillëse, denigruese, e pasjellshme dhe dëmtuese për tjetrin.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤