Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit

img_0149
View Gallery
5 Photos
img_0048
Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit
img_0048

img_0072
Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit
img_0072

img_0077
Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit
img_0077

img_0125
Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit
img_0125

img_0149
Cecile&Albana; Ta kthesh traditën në modën e fundit
img_0149

Një franceze dhe një shqiptare. Dy mikeshat që i ka bashkuar dashuria për punimet artizanale. Ato shqiptare. Motive të lashta të këtyre trojeve të endura në lesh. Por jo vetëm kaq. Duke i qëndruar besnike traditës, objektet siç i kemi njohur marrin të tjera funksione e pamje, falë stilimeve të tyre. Lexoni historinë e dy zonjave

Foto:Florion Goga/MAPO IMAGE

Një  “C” dhe një “A” e shkuar në një fill leshi në një kornizë katrore prej druri ulliri, janë shkronjat që i japin aksesorëve të leshtë identitetin.

Kudo ku të jetë destinacioni i tyre, çantat, kuletat, kutitë e bizhuve, koshat e mëdhenj do të mbajnë markën e Cecile-ës dhe Albanës, krijueseve të tyre.

Cecile Bellemere dhe Albana Asllani-Beaussier. Dy mikesha, njëra franceze dhe tjetra shqiptare, të lidhura  prej pasionit për udhëtimet  nuk e dinin se pikërisht gjatë këtyre udhëtimeve do të gjenin një pasion të ri; atë për artizanatin.

“Duke shëtitur nëpër veriun e Shqipërisë, kryesisht, u ndalëm një ditë në pazarin e Milotit. Aty shitet gjithfarë gjëje, por  ne na mahnitën punimet artizanale të punuara në tezgjah nga gratë vendase. Së pari ishte dëshira jonë si blerëse dhe dashamirëse të punëve me dorë që na shtyu drejt këtyre produkteve, më vonë menduam: pse të mos krijojmë një markë tonën me produkte të dizajnuara nga ne?” – rrëfejnë ato të  dyja, ndërsa i  japin dorën e fundit objekteve të reja që sapo kanë mbërritur në atelierin e tyre, një apartament i shndërruar në një punishte të vogël me tufa penjsh e gjilpëra e po aq edhe një shoëroom për mikeshat, kureshtaret apo të interesuarat që duan të blenë. Çanta të të gjitha përmasave, ngjyrave, motiveve, kuleta apo dhe kutitë e bizhuterive  kanë pushtuar të gjithë sallonin, ndërsa ato të dyja i rrëfejnë me krenari.

“Ja kjo këtu është logoja jonë, brenda është edhe etiketa ku thuhet se produktet janë të bëra me dorë…kjo këtu është një detaj argjendi, gjithashtu i punuar me filigran nga një argjendpunues shkodran” –detajon Cecile elementët e një çante të madhe prej leshi që mban në duar.

Megjithëse materialet bazë punohen nga  gjashtë artizanët e pajtuar prej tyre, janë ato të dyja që zgjedhin modelet e motiveve dhe i japin formën e fundme.

Për të nxjerrë simbolet autentike shqiptare, kanë hulumtuar gjatë në Bibliotekën Kombëtare dhe kanë blerë një sërë librash etnografikë që janë marrë me këto simbole që gjenden në një sërë objektesh shqiptare. Pikërisht mbi to janë realizuar të gjithë produktet “Cecile&Albana”.

Yje, diej, gjarpërinj, figura gjeometrike, shqipja me dy krerë e shumë e shumë simbole të tjera gjenden të shkrira në çantat dhe kutitë.

Ajo që qëndron si xhevahir mes krijimeve të tyre është qeleshja  e famshme  e veriut. Por ajo  e Cecile-ës dhe Albanës mbahet nga gratë.  Me motive shqipeje të qëndisur apo me dantellë, me rrip të zi apo të kuq e të gjelbër, qeleshja tashmë ka marrë formën e çantës së krahut, e cila mund të mbahet me veshje kokteji apo mbrëmjeje, por edhe gjatë ditës. “Në këtë mënyrë kemi thyer pak edhe ndasitë gjinore” – thotë Albana duke qeshur, ndërsa vendos njërën prej tyre në supe për ta ekspozuar më mirë.

E bukura e artikujve të tyre është se janë unike. Asnjëherë nuk gjen dy njëlloj. “Edhe kur ne ua kërkojmë artizaneve të na realizojnë një model kur ka kërkesa, asnjëherë nuk del njëlloj. Sepse puna e dorës, dihet nuk e përsërit dot veten si makineri. Ndaj kjo është e bukura”- vijon Albana.

Në udhëtimet e tyre  nëpër Shqipëri kanë  gjetur disa zonja që ende e mbajnë gjallë traditën e të punuarit me dorë, edhe pse siç e pohojnë të dyja janë gjithnjë e më të rralla ato që e ruajnë të trashëguar besnikërisht. Bashkë me artizanin e qelesheve nga Kruja, janë gjashtë ata që janë të punësuar prej Cecile-ës dhe Albanës. “Ja këta rripat e çantave na i bën një zonjë, e cila  i thur me dorë si gërshet. Është punë që kërkon shumë orë angazhim. Një të tillë, rreth tre metra e gjetëm në pazarin e Milotit. U magjepsëm dhe përveçse e blemë, kërkuam nëse kishte ndonjë grua a vajzë që dinte ta bënte. E gjetëm një, e cila na tha se ishte fort e vështirë të punohej. por ia doli. Dhe ja ku i kemi te këto çanta” –rrëfen  Albana.

Nisma e tyre për ta kthyer magjepsjen në një brand të mirëfilltë ku takohet moda dhe tradita ka thuajse një vit që ka nisur, ndërsa markën “Cecile&Albana” e prezantuan vetëm pak muaj përpara, në nëntor të vitit të shkuar, në një sfilatë në qendrën “TEN”.

“Ajo ishte sfida jonë e parë ku do shihnin sesi do të priteshin produktet tona. Fakti që u shitën të gjitha nga ai koleksion   ishte jo vetëm një sukses, por na dha shtysë të ecnim më tej, për një koleksion të dytë. E bukura është që edhe ne mësojmë çdo ditë nga kjo gjë.” –thotë  të dyja. Jo vetëm të pasionuara pas gjërave tradicionale, por si Cecile ashtu edhe Albana janë të talentuara  edhe në punën me dorë. I sheh të vendosin ca tufa të kuqe të leshta si aksesorë në çanta, të cilat i kanë marrë nga një brez antik , që dikur mbahej nga gratë malësore. Madje, Albana ka bërë edhe një varëse me një prej atyre tufave. Mënyra sesi ato i shndërrojnë apo ripropozojnë funksionet e endjeve të leshta duket përveçse fantazi edhe argëtim për to. Ndërsa prekja me duar e objekteve të leshta u krijon atë lidhje të menjëhershme  dhe mistike  me të shkuarën.

Aq i argëton ky projekt saqë çantave dhe kutive u kanë vendosur edhe emra, si të ishin qenie që komunikojnë me to. Qeleshet –çanta quhen “Pliza”, një emër që evokon plisin e lashtë, siç ndryshe i thonë qeleshes në veri. Ato të përmasave pak më të mëdha sesa koka dhe vijnë me larmi ngjyrash, veç së bardhës dhe kanë emrin “Nini”.  Disa çanta që të ngjajnë me zhgunin e barinjve janë pagëzuar si  “Velinza”, një tjetër çantë me shqiponjën dy krerëshe mban emrin “Dava” si zonja që e ka punuar, pastaj është çanta Lulza sepse motivet e endura në të janë të emërtuara si lulëza edhe nga etnografët. Cecile dhe Albana kujdesen që asgjë të mos mbesë pa emër.

Për një shqiptare, dëshira e promovimit të traditës shqiptare nuk përbën habi, por nuk mund të kalojë pa  shkaktuar kureshtje dashuria që një franceze ka për artizanatin shqiptar. Cecile thotë se këto punime të leshit nuk i gjen në vendin e saj dhe kjo e ka magjepsur. Por në radhë të parë është dashuria që ajo ka për këtë vend, për Shqipërinë ku ka kaluar pesë vite të jetës. “Kam parë fëmijët e mi të rriten këtu. Është pak edhe vendi im” – thotë Cecile, ndërsa është e gjitha e fokusuar te kutia e madhe e leshtë, me ngjyrë të verdhë të gjallë.

Edhe te ngjyrat ato të dyja kujdesen që të jenë të bëra me mënyrat natyrale, kur kjo është e mundur, sepse vetëm kështu, me traditat e pacenuara mund të prezantohet më së miri një produkte “handmade” nga Shqipëria.

Dhe produktet e tyre kanë udhëtuar shumë. Të  huaj që janë magjepsur pas çantave dhe kutive, por edhe vendas që dëshirojnë të shënojnë stil të paimitueshëm dhe aksesorë autentikë dhe të prodhuar vetëm një herë , janë disa prej blerësve të produkteve të markës “Cecile&Albana”.

Është vetëm fillimi, por duket se puna e dy zonjave ka nisur mbarë. Një tjetër rast i ekspozimit të krijimeve të tyre ishte ai i 8 Marsit në galerinë Zeta, në ekspozitën “Albania in our eyes” ku gjashtë gra të huaja shpalosin Shqipërinë që ka dëshmuar artistikisht me sytë e tyre. Aty ishin  Albana dhe Cecile dhe koleksioni i çantave të  2017 –ës.

Tashmë që projekti ka marrë jetë dhe  formë, Cecile dhe Albana  janë optimiste për ta çuar përpara, ndërsa çdo ditë zbulojnë gjëra të reja kur bien  në kontakt me cohërat e leshta të dekoruara me motive antike dhe me ngjyra të gjalla, duke e kthyer natyrshëm traditën në kryefjalë  të modës së fundit…

 

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤