Doktoreshë Vilma Çadri: “Në lëvizje për shëndetin e veshkave!”, 1 në 10 persona vuan nga sëmundjet e veshkave

dr-vilma-cadri-mjeke-nefrologe

Sëmundjet e veshkave nuk shfaqin asnjë shqetësim, nuk kanë dhimbje ose shenja të tjera të dukshme. Ndaj dhe kur pacienti fillon të ketë shenja, pra dhimbje ose ankesa të ndryshme, funksionimi normal i veshkave është prekur me 60-70% dhe dëmtimi është i pakthyeshëm

Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë në të gjithë botën. Gjithashtu, sëmundjet që prekin veshkat janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë.

Veshkat kanë role të shumta biologjike, si p.sh. rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak, si: sodiumi, potasi, fosfori, kalciumi, eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë, prodhojnë disa hormone, p.sh. reninën që ndikon në presionin arterial, nxitin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.

Doktoreshë Vilma Çadri, mjeke në Shërbimin e Nefrologjisë dhe Hemodializës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ka thënë për gazetën MAPO se: “Veshkat njihen si biokimia e organizmit dhe janë organe që punojnë në prapaskenë. Ato, në përgjithësi nuk janë familjare për shumicën e njerëzve, pasi edhe sëmundjet që i prekin në pjesën më të madhe nuk shfaqin shenja apo simptoma”. Sipas saj, aktualisht sëmundjet e veshkave prekin një në dhjetë persona dhe prandaj sëmundja kronike e veshkave renditet si shkaku i nëntë i vdekjes në botë.

Kjo përbën dhe sfidën e mjekut nefrolog sot, sensibilizimin dhe edukimin e popullatës për sëmundjet që prekin veshkat. Personat e prekur nga sëmundjet e veshkave nuk shfaqin asnjë shqetësim, nuk kanë dhimbje ose shenja të tjera të dukshme. Kur pacienti fillon të ketë shenja, pra dhimbje ose ankesa të ndryshme, funksionimi normal i veshkave është prekur me 60-70% dhe dëmtimi është i pakthyeshëm. Këto ankesa konsistojnë në lodhje, pafuqi, pagjumësi, shije metalike në gojë, ënjtje ose jo e syve dhe anësive, urinë me ngjyrë të errët, lëkurë të zbehtë, kruarje të trupit dhe humbje në peshë.

Këshilla
Së pari, ruajtja e peshës trupore dhe aktivitet fizik i rregullt. Koncepti “në lëvizje për shëndetin e veshkave” nënkupton gjithëpërfshirja e profesionistëve dhe njerëzve të zakonshëm në zona publike për ecje, vrapim apo çiklizëm për të paktën 50 minuta, 5-6 ditë në javë.

Së dyti, kontrolli i rregullt i nivelit të sheqerit në gjak. Gjysma e individëve me Diabet Mellitus zhvillojnë sëmundje të veshkave, kështu është shumë e rëndësishme që këta pacientë të testohen rregullisht për funksionin e veshkave. Sa më herët të zbulohet ky dëmtim aq më shumë mundësi kemi në dispozicion për parandalimin e saj.

Së treti, monitorim në dinamikë i presionit arterial dhe nivelet e kolesterolit në gjak. Megjithëse njerëzit janë të sensibilizuar për rëndësinë e tensionit arterial dhe pasojat e tij në zemër dhe tru, shumë pak prej tyre e dinë që ai është shkaku i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Vlerat normale të presionit arterial janë 120/80mmhg. Vlerat mes normës dhe 139/89mmhg konsiderohen gjendje prehipertensioni që kërkon modifikimet dietetike dhe të stilit të jetesës. Vlerat PA>140/90mmhg kërkojnë konsultim në dinamikë me mjekun. Kur hipertensioni shoqërohet me vlera të larta të kolesterolit në gjak, me DM dhe sëmundje kardiovaskulare risku i dëmtimit të veshkës është më i lartë.

Së katërti, përdorim i ushqimeve të shëndetshme për veshkat. Rekomandimi i parë dhe i rëndësishëm për dietën e veshkave është kufizimi i kripës që nënkupton mos-shtim të kripës ekstra në ushqim, si dhe kufizim të përdorimit të ushqimeve të konservuara dhe të ngrira. Të evitohet përdorimi i produkteve të gazuara. Rekomandohen me prioritet nga mishrat peshku dhe pula disa herë në javë, nga zarzavatet shpargu, lakra, lulelakra, specat, qepët, kungujt, patatet, kastravecët, majdanozi dhe hudhra dhe nga frutat shalqiri, portokalli, limoni, boronicat e kuqe dhe blu, mollët, rrushi, qitro, banane, luleshtrydhe, si dhe përdorimi i drithërave dhe vajit të ullirit.

Së pesti, ruajtje e hidratimit të trupit. Megjithëse studime të ndryshme referojnë vlera të ndryshme të sasisë së konsumit ujor në ditë, të gjitha pranojnë njëzëri se sasia 1.5-2l ujë në 24h ose 6-8 gota ujë në ditë është e shëndetshme për veshkën. E rëndësishme është të theksojmë që gjatë verës, gjatë udhëtimeve nëpër zona të ngrohta apo gjatë aktivitetit fizik duhet shtuar konsumimi i ujit për të kompensuar humbjet me djersën. Madje dhe n.q.s. ne konstatojmë urinë me ngjyrë të errët është shenjë për të reaguar për shtimin e ujit gjatë ditës, pasi jemi të dehidruar.

Së gjashti, mos rezisto ndaj nevojës për të urinuar. Megjithëse vezika urinare mban sasi të madhe urinë, nevoja për të urinuar ndihet kur në të ka 120-150ml/urinë dhe nëse ne e injorojmë nevojën e urinimit dhe kjo gjë përsëritet ne dëmtojmë gradualisht kapacitetin mbajtës të vezikës dhe në vijim dëmtojmë veshkat.

Së shtati, stop duhani! Duhani përveç efekteve të konfirmuara tashmë në aparatin kardiovaskular akuzohet se ul fluksin e gjakut në veshka, duke dëmtuar aftësinë e tyre funksionuese. Gjithashtu, duhani rrit riskun për tumor të veshkave.

Së teti, evitoni përdorimin e rregullt të medikamenteve të dhimbjes. Medikamentet e grupit AIJS, si: ibuprufeni, voltareni, naproxeni nuk shkaktojnë dëmtime në subjekte me veshka të shëndosha dhe kur ato konsumohen për urgjenca. Por nëse ju vuani nga dhimbja kronike si artriti apo dhimbjet e mesit duhet të konsultoheni me mjekun për të gjetur medikamentet e duhura të dominimit të dhimbjes pa dëmtuar veshkat.

Shkak për sëmundje kronike të veshkave janë:

Diabeti Mellitus;

Hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare;

Obeziteti;

Anamneza pozitive familjare për sëmundje të veshkave si reni polikistik;

Medikamentet e ndryshme nefrotoksike.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤