Elis Kuçi; Nishanet e një gruaje

 

elisi-1-21-pyetje

Nuk është  titull kënge, as poezi…është ai tipar që gazetari dhe zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e konsideron si nga më sensualët kur bëhet fjalë për një grua, por jo vetëm. Sa i drejtë është mendimi i një burri mbi qenësinë e një gruaje? Lexoni përgjigjet e Elis Kuçit, prej dashurisë së parë dhe heroinave të letërsisë…

 

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Dashuria e parë, nëse mund të quhet kështu, ka ndodhur shumë kohë më parë. Nuk ka ndjesinë e dashurisë së vërtetë.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

Sigurisht, pasi e shoh dhe puth çdo natë. Larg qoftë të ishte e para, ajo që do ishte e fundit.

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Shumë vajzave që kam njohur pas adoleshencës nuk ua di ngjyrën natyrale, prandaj si ndaj në brune dhe bionde. Por teorikisht biondet natyrale janë epshndjellëse, ndërsa brunet kanë një përzierje të çuditshme midis ëmbëlsisë dhe egërsisë.

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Asnjërën nga këto. Gruaja e mirë duhet të ketë më shumë vepra sesa fjalë. “Por si kjo markë pak gjen në treg”.

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Që duhet të hash shumë shëndetshëm, për të qenë i fuqishëm në shtrat.

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Zgjedhje për ata që si kanë martuar me zor, zgjidhje për ata që janë dembel (qesh)

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Sa keq do ma lexojë edhe gruaja intervistën. J  Unë kam bindjen se çdo njeri e ka menduar a ëndërruar një aferë, por tradhtar quhesh kur i realizon në praktikë mendimet e “pista”.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Divorci është si ilaçi helmues, që i sëmuri e përdor kur nuk ka asnjë zgjidhje tjetër.

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Grua konsideroj vetëm bashkëshorten, nëna… është diçka tjetër. E sigurt që është më shumë se gruaja e tim eti.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Do ishte këngë legjendë (që i reziston kohës), por pa qenë kurrë e para të hitparade…

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Një varëse.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Shkon përtej… besoj se aventurat dhe gruaja e limitojnë njëra-tjetrën.

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Kur e ndjej…

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Gustav Flober, me romanin (nga të preferuarit e mi)  Zonja Bovari, sjell një realitet që                   i ngjanë shumë Shqipërisë së këtyre viteve që jetojmë. Kur shumë martesa rrinë bashkë vetëm sepse janë kurorëzuar kohë më parë, e shumë arsye të kësaj natyre. Në Shqipërinë e sotme, njëlloj si në Francën e dikurshme, gratë jetojnë me partnerët edhe pse nuk kënaqen shpirtërisht, materialisht dhe emocionalisht.

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Pushteti është magneti që e transformon qenien e brishtë njerëzore, në një përbindësh të pamëshirshëm. Lady Macbeth vendos një barazim mes burrërisë dhe dhunës. Ndryshe nga unë që dhunën e mendoj se e përdorin vetëm injorantët, edhe paranojakët.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere te “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Nuk jam aq romantik sa Gere në film, por e sigurt është që do bëja zgjedhjen që më thoshte zemra.

Më mirë një shef apo një shefe?

Gjinia nuk më shqetëson. Kapaciteti intelektual, po.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Një burrë ndryshon para dhe pas pubertetit (qesh). Kur martohesh i ri zgjedhin hormonet. Kur vendos në moshë madhore zgjedh aritmetika.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Shpinën dhe gjoksin, por edhe nishanet…

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Çfarë do bëje ndryshe në jetën tënde po të rilindje…

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Bëjnë tmerrësisht shumë pyetje. Por edhe meshkujt i tolerojnë që të pyesin edhe për emrat e banorëve të Kinës.

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤