Isli Islami: Dashuria, dhuratë e Perëndisë

 

Dashurinë e sheh si një prej dhuratave më të bukura që Perëndia i ka dhënë njeriut dhe i vjen keq që e ka shijuar shumë rrallë.  Për ata që nuk e dinë, moderatori i njohur i Top Channel, është natyrë  tmerrësisht romantike. Por nuk zbulon vetëm kaq…Ja si e rrëfen dashurinë e parë, preferencat për biondet, mendimin për martesën…Është ende beqar, por partizan i flaktë i bashkimit të dy njerëzve që i përkasin njëri-tjetrit. Isli Islami në  21 përgjigje!

 

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Dashuria e parë nuk harrohet kollaj. Edhe kur nuk ke më nostalgji apo nuk e kujton me ndonjë dëshirë të flaktë, prapë nuk harrohet. I rikthehesh dashje pa dashje sepse diçka ta kujton patjetër. Të paktën kështu ndodh me mua. Dashuria e parë ka ardhur herët, e mbaj veten si të zhvilluar shpejt në këtë drejtim. Përtej shakasë, ka ndodhur diku nga fundi i gjimnazit. Duhet të jetë vërdallë, me siguri.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

Një gjë është e sigurt; unë bie shumë rrallë në dashuri, tmerrësisht rrallë. Aq rrallë, madje, sa do doja të ndodhte më shpesh. Dashuria është një prej dhuratave më të bukura që na ka dhënë Perëndia ndaj duhet shijuar si ndjenjë. Për këtë arsye them se duhet të kisha rënë më shpesh në dashuri. Për ata që nuk e dinë, sepse s’kanë nga ta dinë, si natyrë jam tmerrësisht romantik. Aq romantik sa më shqetëson edhe vetë kur e mendoj. Por kjo është temë tjetër, komplet tjetër. Në rastin tim, dashuria e parë nuk është e fundit. Më pëlqejnë çiftet që dashurinë e parë e kanë të kurorëzuar si të fundit sepse na bëjnë të mendojmë e të kuptojmë që rreth e rrotull ka njerëz që duan me çiltërsi dhe pasion, ashtu siç ndodh me dashurinë e parë. Gjithsesi, edhe me ne që do të marrim për gra dashuritë e dyta apo të treta, nuk do të thotë që do mungojnë këto elemente. J

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Një pyetje e vështirë. Më mirë kisha bërë një orë filozofi sesa ta fus veten në mendime për faktorin X të biondeve, në krahasim me brunet. Si fillim, dua të them se me shumë lezet duket sikur ramë dakord që biondet medoemos kanë diçka më shumë se koleget flokë-errëta, gjë që nuk e besoj fort. Por edhe pa gjë nuk janë biondet! Them se anoj lehtësisht më shumë drejt preferencave për biondet, për arsye ende të pazbardhura. Duhet të jetë kimi, sepse unë me kiminë nuk gjetëm kurrë një lidhje. Di vetëm të them që biondet kanë më shumë guxim se brunet që i hedhin flokët në tokë me njëqind lloje bojërash. J

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë ju vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Pa dyshimin më të vogël një “grua e duruar”! Po jetojmë në kohëra kur gra të kuruara gjen pafund, me kile, thënë popullorçe. Por le të dalim bashkë e të gjejmë një grua të duruar vërdallë… Vështirë ta gjesh! Me gjasë do lodhemi kot… Për ta zhdramatizuar pak, durimi u mungon të gjithëve sot, ne na mungon gjithashtu, ndaj për mua është vlerë.

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Nuk e di kush e ka thënë i pari këtë shprehje, por do ketë qenë me të vërtetë shumë llupës. Në fakt, dashuria kalon nga stomaku po aq sa kalon nga zemra, nga mendja, fjalët… Kalon pra, nga të gjitha, por ai “dikushi” që e ka thënë i pari nënkupton që dashuria lezeton më shumë kur gatuhet për/me personin e zemrës ose kur konsumohet bashkë…Të them të drejtën, është një shprehje që nuk më lë ndonjë përshtypje të madhe, pasi mendoj që për sa kohë ka dashuri brenda, është njësoj gjithandej.

 

img_4524-editMartesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Më pëlqen shumë tema e martesës; jo se kam ndonjë gjë të madhe për të thënë se jam ende beqar, por më duket sikur po pakësohet gjithnjë e më tepër grupi “pro-martesë”, ku unë jo vetëm aderoj, por jam edhe kryetar. J Martesa është zgjedhje dhe zgjidhje! Me pak fjalë, jam mbështetës i institucionit të martesës, si një shpallje publike që ti i përket dikujt dhe dikush të përket ty. Sigurisht që secili ka të drejtë ta ndërtojë jetën e tij si të dojë, megjithatë është mirë që disa gjëra mos t’i flakim tutje e mos t’i zhveshim nga rëndësia. Kurorëzimi ligjor është një prej tyre!

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Eh, tradhtia! Nuk dua të dukem fatalist, por realisht kur bëhet fjalë për këtë temë unë nuk fal dot. E shikoj tradhtinë si një “sprovë” të fortë në një marrëdhënie; nëse dikush ngel në këtë “provim”, atëherë nuk mbetet asgjë për t’u rindërtuar. Dua të them që natyra njerëzore gjithmonë do të ketë tendencën për të tradhtuar, por nga ana tjetër, kjo nuk e justifikon aspak një veprim të tillë. Njeriu do të tundohet gjithnjë? Po. Njeriu, a duhet të tradhtojë? Jo! Mendoj që ku ka ndjenja të sinqerta, nuk ka vend për tradhti. Dhe këtu kam parasysh të gjitha llojet e tradhtisë, në çdo marrëdhënie njerëzore -çift, miq, familjarë, etj.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Nuk e di, për sa kohë që nuk e kam provuar vetë. Ajo që di me siguri është që nuk do të doja kurrë ta provoja!

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Varet shumë nga konteksti, situata. Gjithsesi, përgjithësisht më vjen ndërmend “ajo”.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Shumë e vështirë, ende s’e kam vendosur cila është kënga ime e preferuar. Mendja më shkon tek ndonjë këngë romantike, por kompleksiteti i karakterit të një femre nuk përcaktohet vetëm nga të tilla nota. Do të duhet të ishte edhe një këngë shpërthyese për shembull. Më duhet të gjej një këngë të qetë të cilën e ka marrë ndonjë DJ i famshëm për ta bërë remiks, që ta kemi në të dyja format. J

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

S’para bëj dhurata të mëdha, nga ato që tërheqin vëmendjen, por jam tip i detajeve dhe dhuratave të vogla. Mundohem të bëj ndonjë dhuratë çdo muaj. Kjo ka edhe një anë negative, pasi kur fillon e nuk i bën dot aq shpesh, për arsye nga më të ndryshmet, atëherë krijohet ideja sikur diçka nuk po shkon siç duhet…

 

img_4534-editAventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Mund ta ketë emrin grua, por mund të shkojë edhe përtej saj. I shoh sa të lidhura aq edhe të pavarura nga njëra-tjetra.

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Gjithmonë, sa herë të mundem!

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Gjithkush prej nesh lufton vazhdimisht për të dalë hero i fatit të tij. Pyetja është interesante, pasi Floberi godet me këtë personazh, që në fakt jeton brenda të gjithëve… Por në kundërshtim me Emën, heroinën romantike e cila me apo padashje kthehet në viktimë të pasioneve të saj, mendoj se anoj më shumë nga emri dhe mbiemri im. J

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Është një nga ato raste, kur burri shkon në shtrat me të dyja. Me shansin dhe fatalitetin, që në fakt, duke iu referuar veprës duhet të falënderojmë të gjithë Shekspirin për të mos fshehur asnjë grua nga pas dhe shmangur kështu rrezikun e hidhur të pushtetit të saj.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Sa pyetje e vështirë! Nuk e di, por kam bindjen se pasi ke rënë në dashuri, të gjitha këto veprime do të justifikoheshin si me magji. Nëse do i bëja, do të thotë që do e ndjeja, kështu që do isha në rregull me veten.

Më mirë një shef apo një shefe?

Më mirë një shef. Ndoshta sepse jam mësuar të kem shefa. Megjithatë, nuk besoj se do të kisha probleme sikur eprorja ime të ishte femër.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Bota ndryshohet kur t’i vijë cikli për ndryshim dhe ky ndryshim vjen nga njerëz energjikë, pasionantë dhe idealistë. Roli i martesës nuk është as t’i shuajë e as t’i përgjumë këto karakteristika të njeriut, përkundrazi!

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Në tërësi- e folura, flokët, qafa, këmbët, fundshpina, etj.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Mes shumë pyetjeve do të zgjidhja ta pyesja: a ndihesh e lumtur?

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Absolutisht po! Mendoj se bëjnë tmerrësisht shumë pyetje. Dhe më e keqja është që ndonjëherë bëjnë pyetje shumë të vështira. J

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤