Koha peshohet, nuk matet!

arjan-curi

Nga Arjan Çuri

Sa herë që ndërrohen vitet, njeriu tenton të bëjë një rezyme apo një bilanc të vitit që la pas, për të parë, nëse ishte një vit i mbarë apo jo, dhe për t’i uruar vetes një vit më të mirë, se ai që la pas. Ndërkohë që po mendoja dhe unë se a ishte i mirë apo i keq 2016, në mend më erdhi një histori e vërtetë, nga jeta ime studentore në Athinë. Dikur, më mundonte mendimi se gjërat që doja të realizoja, nuk më mbylleshin në kohë, pra më dukej sikur në kohë isha gjithmonë i vonuar, dhe kjo më krijonte një lloj ankthi, sikur isha gjithmonë me vonesë, për planet që kisha në fazat e ndryshme të jetës, dhe afatet kohore që kisha vënë për to.

Një ditë, teksa po vizitoja një njeri filozof që i ishte përkushtuar edhe një jete spirituale, ai ma vuri re këtë shqetësim dhe më pyeti për arsyen. Unë, si për ta respektuar, i tregova që nuk i kisha mirë marrëdhëniet me kohën, dhe kjo më mërziste, pa menduar se do i jepte zgjidhje dilemës sime ekzistenciale. Dhe plaku që kisha përballë, më dha një përgjigje shumë të thjeshtë, që më la pa fjalë: “Ti përdor njësinë matëse të gabuar, -më tha, – pasi koha nuk matet, ajo peshohet”.

Në fillim, m’u duk sikur po bënte ndonjë batutë sa për humor, por mimikës sime që shprehte pakuptueshmëri, ai vazhdoi t’i përgjigjej se unë gabimisht, e masja kohën me muaj e vite, pra e masja në sasi, ndërkohë që duhet ta peshoja në cilësi, pra a kisha kaluar apo jo këndshëm, frytshëm dhe gëzueshëm, kohën që kisha në dispozicion. Ai vijoi duke thënë, se e vetmja dhuratë e vërtetë dhe e çmuar që kemi, është koha, pasi ajo është pjesa fizike e të qenit gjallë, pra e vetë jetës sonë, dhe shumica e njerëzve, nuk dinë ta vlerësojnë këtë kohë që kanë, sepse futen në qerthullin e kurthit të ankthit që ajo shkakton. Që do të thotë, ose ankohen për të kaluarën e tyre jo të kënaqshme, ose tmerrohen nga pasiguria që u rezervon e ardhmja. Dhe në të dyja rastet, humbasin mundësinë e çmuar që të jetojnë të tashmen, çastin, gjënë e vetme që njeriu ka në dorë, në kohën e jetës së tij. Pjesa tjetër, nënvizoi burri i mençur, ose nuk dinë kujt t’ia japin kohën e tyre, ose kërkojnë kohë që nuk e meritojnë nga ajo e të tjerëve.

Filozofimi i tij mbi kohën më futi në mendime, por aq e fuqishme, sa edhe e thjeshtë në terma, ishte qasja e tij mbi kohën, saqë ma ndërroi që në atë moment e deri më sot, edhe koncepsionin tim mbi këtë dimension fizik, dhe nuk hezitoj që t’ju rrëfej se që nga ai moment, nuk e kam përjetuar më ndjesinë e të qenit vonë me afate, pasi më shumë shqetësohem që çastet e mia të së tashmes, të kenë peshë në cilësi. Sigurisht që qysh prej asaj bisede, jam bërë shumë eklektik, mbi ambientet, personat apo dëshirat, të cilave do të duhet t’u kushtoja kohë.

Nisur nga kjo përvojë, desha të bëja analizën time, mbi sa peshonte koha e jetës sime në 2016, dhe mbi cilat kritere matëse do ta gradoja peshoren time të kohës. Duke radhitur gjërat që ma bëjnë kohën sa më cilësore, më erdhën në mendje këto gjëra, familja, shoqëria, puna dhe lidhjet sentimentale. Nëse dikush mendoi se kam harruar lekun, ai është i përfshirë te koncepti i punës, si i vetmi burim i tij, tani për tani. Dhe i mora një nga një këto kritere, dhe më rezultoi që në shumicën e rasteve, koha ime peshonte cilësisht kënaqshëm. Por, nëse, i thashë vetes, do të zgjidhje se cila nga këto katër elemente e ka bërë më të rëndë cilësisht kohën tënde, si do t’i përgjigjeshe? Sigurisht, meqë jemi te koha, do merrja si kriter kohëzgjatjen, pra qëndrueshmërinë në kohë, e cila të sjell edhe qëndrueshmëri në cilësi.

Familja, sigurisht që është e përjetshme, por atë nuk kemi në dorë ta zgjedhim. Është fat dhe bekim, që të biesh në një vatër të ngrohtë familjare, që të jetë gjithmonë aty me ty, për të të mbështetur në çdo rast, dhe unë e kam këtë fat. Ajo që ndryshon, është se mua ka raste që më dhimbset familja, dhe për të mos i shqetësuar, nuk i ndaj të gjitha problemet me ta. Këtë gjë e bëj me shoqërinë, atë e zgjedh, ajo i afrohet në qëndrueshmëri familjes, edhe pse ka ulje-ngritjet e veta. Me miqtë e mi ndaj çdo gjë, dhe kohën që ndaj me ta e shijoj gjithmonë maksimalisht. Edhe studimet e fundit, për çudi vënë miqësinë e shëndoshë, si kriter për suksesin e gjithanshëm në jetën e individëve që ishin marrë në vëzhgim.

Po me punën dhe lidhjet, ç‘mund të them? Sigurisht që ato janë më pak të qëndrueshme se dy të parat, pasi janë marrëdhënie më shumë interesi, por jo më pak të rëndësishme. Është shumë e vlefshme, të bësh punën që do dhe të pëlqen, pasi kjo ta bën kohën më të bukur. Por, duhet të bëhesh gati, që të mos mërzitesh më shumë seç duhet, në momentin që mund ta humbasësh atë, por t’i jepesh me energji, gjetjes së një pune më të mirë dhe më të përshtatshme për ty, pasi duhet të dish, që në këtë dimension, ashtu si edhe në atë të lidhjeve sentimentale, fjala “e përjetshme”, nuk ka asnjë kuptim. Ndërsa për lidhjet, do të thosha, që njeriu nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të kënaqet me ato që i sjell koha, dhe për aq kohë sa ato zgjasin.

Por duhet të kemi kujdes, ka edhe armiq të cilësisë së kohës sonë, ata që ndjejnë xhelozi, kur na shohin, se po kalojmë një kohë të bukur, dhe duan të godasin katër elementet që e bëjnë kohën tonë të peshojë më shumë, duke komplotuar, kundër familjes, miqësisë, punës dhe lidhjeve. Këta janë njerëzit, që janë të pakënaqur me kohën e tyre, pasi nuk dinë si ta peshojnë saktë atë. Nëse do të më duhej t’i harroja, do thosha, se do e kisha shumë të vështirë të falja personat që m’i prekin, por sidomos dy shtyllat e para. Cila është zgjidhja? E thjeshtë, ta përgatitim veten, sepse ky moment do të vijë, kur të tjerët, ose edhe vetë ne, pa dashje, do t’i cenojmë këto njësi lumturie.

Por kryesorja është të mendojmë se sa gjëra të rëndësishme kemi në jetë, nga ato që na e bëjnë kohën më të peshueshme në cilësi, dhe të bëjmë çmos që të mos t’i humbasim. Të paktën, aq sa është në dorën tonë. Të tjerat t’ia lëmë kohës, ose atij që e krijoi dhe e mban në dorë kohën, sepse është jashtë saj. Historia ime, i ka ndihmuar personat me të cilët e kam ndarë në biseda, shpresoj të ndihmojë edhe lexuesit, të cilëve iu uroj të kalojnë një kohë sa më të bukur këtë vit, nga ajo kohë, që ia vlen të peshohet, dhe jo të matet.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤