Mirazhi i demokracisë

dr-mirela-oktrova

Nga Dr. Mirela Oktrova
“Populli… pandeh se është i lirë, por gabohet rëndë: i lirë ai është vetëm gjatë zgjedhjeve…, po kur ato përfundojnë, ai është thjesht skllav, është një hiç” – shkruante Zhan Zhak Ruso te “Kontrata shoqërore”. Sot, rreth 225 vjet më pas, i njëjti shqetësim motivon të njëjtat pyetje për thelbin e sistemit: A jemi vallë aq të lirë sa duam? Sa “e drejtë” dhe sa “detyrë” janë zgjedhjet? Sa liri i japim apo i marrim vetes me to? A është vota festa e lirisë së zgjedhësit apo alibia e tiranisë së të zgjedhurit? Sa e mençur mund të jetë vota dhe kujt i vlen “logjika” e saj?

Demokracia – si sistemi i garantimit të lirive dhe sovranitetit të shumicës – po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një paradoksi: të gjithë e dëshirojnë, po gjithnjë e më pak e besojnë. Qëkurse fundi i Luftës së Ftohtë ndryshoi hartën globale dhe prania e shteteve demokratike arriti shifër rekord, bota nuk ka pasur kurrë më shumë simpatizantë të demokracisë, ndonëse figurat autoritare që qeverisin me dorë të hekurt jo vetëm që nuk mungojnë, por edhe vijojnë të shtohen. Siç duket megjithëse ideja e demokracisë bëhet gjithnjë e më e ndritshme, praktika e saj qeverisëse perceptohet ende si e pavolitshme.

Sikurse çdo sistem politik edhe demokracia jeton bazuar në efektivitet dhe legjitimitet. Thënë ndryshe, ajo kombinon aftësinë e qeverisjes për të gjetur zgjidhje të suksesshme me miratimin e ose mbështetjen, që këto zgjidhje gjejnë në opinionin publik. Ndryshe nga diktatura, që karakterizohet nga operativiteti pa legjitimitet apo qeverisjet e dobëta, ku vendimmarrja me bazë të gjerë mbyt efektivitetin, demokracia konsiderohet si formë prioritare e qeverisjes, për shkak të ekuilibrit të shëndetshëm midis legjitimitetit dhe efektivitetit. Po sa herë që sistemi nuk ia del t’i ekuilibrojë ato, kriza e balancës krijon terren si për humbje besimi nga poshtë ashtu edhe për humbje kontrolli nga lart. Shembujt nuk mungojnë – lokalisht dhe globalisht.

Ka disa simptoma – lokale sa edhe globale – që evidentojnë gjithnjë e më dukshëm një lloj krize të legjitimitetit. Këtu bën pjesë p.sh. rritja e numrit të votuesve, që nuk shkojnë në zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri mori pjesë 53% e elektoratit, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2015 vetëm 47%. Organet e zgjedhura vetëm prej gjysmës së elektoratit nuk e kanë standardin e mjaftueshëm të përfaqësimit. Paralelisht me refuzimin e votës shkon edhe shtimi i zgjedhësve të pavendosur. Në Evropë që prej viteve ’90 dukuria prek 10, 20 apo 30% të zgjedhësve. Partitë përballen me një elektorat të ndryshueshëm, një kontingjent i shfrytëzueshëm p.sh. nga e majta apo e djathta ekstreme evropiane. Në Shqipëri vota e kësaj kategorie është e rrezikuar – ose për t’u blerë ose për t’u injoruar, pasi ajo nuk numërohet me korrektësi nga komisionerët partiakë. Globalisht prej vitesh konstatohet edhe rënia e interesit për t’u anëtarësuar në partitë politike. Në vendet e BE, votuesit anëtarë partie përbëjnë më pak se 5% të elektoratit. Krejt ndryshe Shqipëria, ku pjesa e elektoratit e angazhuar politikisht në formë anëtarësie përbën 1/3 e tij. Ndryshe nga partitë evropiane, të cilave u intereson cilësia, tri partitë kryesore në vend, përpiqen të tërheqin sa më shumë individë. Trendi i kundërt me BE do kërkuar në tendencën e partive për ta bërë subjektin më populist dhe më të komandueshëm nga ana e subjekteve politike si edhe për të shtuar mundësitë e veta në tregun e punës për shkak të kontrollit politik të punësimeve dhe politikave klienteliste nga ana e individëve. Kjo është arsyeja e sezoneve të begata të anëtarësimit gjatë viteve të pushtetit dhe jo atyre të opozitës. Po ndonëse i kundërt, edhe ky trend është tregues krize po aq sa edhe ai evropian.

Jashtë krize nuk mbetet as efektiviteti. Jo rrallë qeveritë krijohen me vështirësi, mbajnë vulën e marrëveshjeve joideologjike dhe kërcënohen nga mungesa e stabilitetit. Qeverisja energjike rezulton e vështirë – sidomos për koalicionet. Marrëveshjet zgjasin shumë dhe motivet e tyre nuk janë transparente. Palët implikohen në veprime të paparashikueshme, duke vënë në rend të ditës fleksibilitetin dhe improvizimin, mosbesimin ndaj partnerit në koalicion dhe shpërblimin si garantues të qëndrueshmërisë së zgjedhësve. Vendimmarrja e vështirë e bën qeverisjen të ngadaltë. Reformat rrënjësore, projektet infrastrukturore apo nismat globale vuajnë ndikimin e faktorëve lokalë, që diktojnë interesat e tyre në forma variuese nga mbështetja te shantazhi.

Po a e vë kriza në pikëpyetje sistemin?

Sistemin jo, por format e aplikimit të tij!

Kriza është alarmi, që duhet të mobilizojë të vetëndjerin. Veçanërisht demokracitë e reja duhet të kuptojnë se demokracia nuk është thjesht një status, që vendoset dhe vlen njëherë e përgjithmonë. Demokracia është luftë dhe përpjekje e vazhdueshme për drejtësi dhe tolerancë pavarësisht sfidës së dhunës, korrupsionit dhe vështirësive ekonomike. Sidomos në Evropë, ku koncepti i demokracisë ka rrënjët e veta historike, vlerat dhe institucionet demokratike nuk duhen lënë të humbasin mbështetje dhe aq më pak të tradhtohen.

Demokracia është liri dhe përgjegjësi!

Për vete dhe për të tjerët!

Në mendim, në fjalë dhe në vepra!

Para zgjedhjeve dhe pas tyre!

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤