Shqiptarët e Gerome: Si la nudot për fustanellat e burrave shqiptarë

fustanella

Kush piktor vallë në historinë e artit të pikturës franceze e botërore i është drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve? Prej kësaj dileme, publicisti dhe studiuesi Luan Rama me botimin e librit Shqiptarët e Leon Gerome“, hyn në një oaz antropologjik me një nga piktorët më të famshëm, edhe për ne shqiptarët, Leon Gerome, i cili njihet në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shek XIX, duke e sjellë në një botim të posaçëm, të plotë mbi kontributin e Gerome ku mes personazheve të tij më të rëndësishëm nga bota e Orientit, janë arnautët e shqiptarët që ai i takoi në udhëtimin e tij në Egjipt.

Kush piktor vallë në historinë e artit të pikturës franceze e botërore i është drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve? Prej kësaj dileme, publicisti Luan Rama hyn në një oaz antropoligjik me një nga piktorët më të famshëm edhe për ne shqiptarët, Leon Gerome, i cili njihet në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shek XIX. Ishte akademik dhe realist, që ka krijuar tablo të mëdha historike, por siç na njoftohet edhe shumë nudo të njohura me natyrë erotike e orientale franceze, si dhe nga bibla greko-romake. Por, e ka shquar Gerome ishin personazhet e tij nga bota e Orientit, janë arnautët, e shqiptarët që ai i takoi në udhëtimin e tij në Egjipt.

“Sigurisht, të tjerë artistë para tij iu drejtuan Orientit. Fushata e Napoleon Bonapartit në Egjipt ishte pikënisje për shumë artistë të Europës, kryesisht francezë, por dhe anglezë, italianë, etj, që t’i drejtoheshin Mesdheut, pra Greqisë, Egjiptit, vendeve të Magrebit dhe më tutje deri në Jeruzalem: nga Vivant Déon që shoqëroi gjeneralin Buonaparte, François-René de Chateaubriand e Alphonse de Lamartine, një sërë shkrimtarësh e artistësh, veçanërisht të pikturës iu drejtuan Egjiptit, si Horace Vernet, Alexandre Decamps, Eugène Delacroix, Gustave Flaubert e Maxime Du Camp, Alexandre Bida, nxënësi i Delacroix, e të tjerë që i pasuan“, na shënon Rama, libri i të cilit, është promovuar këtë javë në Tiranë.

I nxitur nga Alexandre-Gabriel Decamps, por dhe nga udhëtimi i tij në vendet e Magrebit, si në Marok, është edhe piktori Eugène Delacroix pikturoi suliotët me fustanellat e bardha dhe në veçanti Marko Boçarin në betejat e famshme të tij gjer në rënien heroike të heroit suliot në Misolongj. Rama na vë në dijeni se Decamps, autori i tablosë së njohur “Vallja e shqiptarëve“ (Dancers albanais, 1830) apo Roja shqiptare (Sentinel albanais), si dhe Louis Dupré e bënë gjithashtu të tyren temën e arvanitasve dhe suliotëve të Epirit. “Dupré na ka lënë pikturat e tij gjatë udhëtimit në Shqipëri në vitin 1818, ku së pari takoi suliotët e „Regjimentit të Shqiptarëve“ (Regiment des Albanais) në Korfuz e më pas Ali Pashë Tepelenën në Janinë, siç kishte ndodhur një dhjetëvjeçar më parë me lord Bajronin. Më vonë janë britanikët Eduard Lear dhe Cockerelle që zbarkonin nga Anglia e që pikturuan peizazhet dhe tipat shqiptarë. Por është e çuditshme, sepse më shumë se të gjithë këta piktorë, ishte Gérôme që iu përkushtua personazheve shqiptarë apo arnautë siç quheshin në Egjipt e në Turqi“.

Sigurisht, ai mund të ishte mjaftuar me duzinë tablosh që pikturoi gjatë apo pas udhëtimit të tij të parë në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës në vitin 1856, por, thotë Rama, ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër, e kishin tërhequr edhe vite më pas, gjithnjë e më shumë me një fuqi të pashpjegueshme duke e joshur që të shkonte përsëri mes tyre. “Ndoshta ishte dhe vetë enigma se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjëndeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës që sillnin vetëm rërë“.

Por cili ishte ky piktor dhe ç’vend zuri piktura e tij në botën e artit të epokës që jetoi.Studiuesi sjell një biografi të plotë, për piktorin ku zbulohen dhe pikëtakimet e tij me Egjiptin, që ishte kthyer në një peligranazh artistik. I lindur në Francë, më 1924, Jean-Léon Gérôme vinte nga një familje artizanësh, ku i ati vazhdonte traditën e argjendarit. Që në adoleshencë, Gerôme pëlqente pikturën dhe studimet e para i bëri pranë atelierit të piktorit të njohur të asaj kohe në Paris, Paul Delaroche e më. Më pas duke shoqëruar mjeshtrin e tij Delaroche ai shkoi dhe në Itali për të njohur nga afër traditën e pasur të pikturës italiane, siç ndodhte shekuj me radhë kur piktorë francezë, anglezë, nordikë, flamandë apo gjermanikë, shkonin të piktakonin veprat e gjenive të Renesancës italiane, të shikonin Mikelanxhelon, Da Vinçin, Raffaelon, Ticianin e Veronezen, afresket e Sikstinës dhe piktorët e ”Quatrocento“, ”Cinquecento“, apo ata të mëvonshmit. Pas Romës, Gérôme u kthye në Paris dhe vazhdoi në atelierin e piktorit tepër të njohur orientalist Charles Gleyre, i cili kishte krijuar mjaft tablo me temën e Orientit. Madje shumë shpejt ai u bë asistenti i tij. Në këtë biografi të Gerome, Rama ndalet në udhëtimin e piktorit, ku sjell këtë informacion: “Por pikëtakimi me Egjiptin do të ishte ai që jo vetëm do të linte gjurmë në pikturën e tij, por do të përbënte një nga sukseset më të mëdha të pikturës së tij, duke spikatur ndër orientalistët e tjerë europianë. Në mesin e shekullit XIX, Egjipti ishte kthyer në një vend pelegrinazhi artistik, apo vend i një itinerari ekzotik për të gjithë artistët e Evropës dhe veçanërisht ata francezë si Chateaubriant, Flaubert, Nerval, etj, për faktin edhe sepse dinastia e Mehmet Aliut i nderonte dhe i mirëpriste këta udhëtarë të dijes dhe të kulturës, që vinin nga metropoli i Evropës. Madje ata i prisnin në audienca të veçanta në pallatin e mbretit, i ruanin me arnautë trima dhe i shoqëronin deri në burimet e Nilit. Botimet e Maxime Du Camp (Nëpër Nil) të shoqëruara me fotografitë mjaft interesante të atij udhëtimi, ku shfaqej madhështia e ndërtimeve kushtuar faraonëve të lashtë, si dhe shënimet e Gustave Flaubert, Egjipti filloi të bëhej një joshje e përhershme për artistët e rinj.

Drejt Egjiptit

Udhëtimin e tij të parë Gerome e ndërmori në fundin e vitit 1855 dhe në ekipin e tij kishte me vete dramaturgun Emile Augier, dy piktorët Leon Belly dhe Narcisse Berchere si dhe skulptorin Auguste Bartholdi, autorin e statujës së mëvonshme të Lirisë, e cila do të ngrihej shumë kohë më pas në Neë York. Ai do të ishte dhe fotografi i këtij ekipi artistësh. Pasi zbritën në Marsejë, më 8 nëntor 1855, me anijen “L’Osiris“, ata iu drejtuan brigjeve të Egjiptit. Në këtë njoftim Rama, sjell dëshminë e piktorit: “Nisje drejt Egjiptit, – shkruan në kujtimet e tij Gérôme. – Jemi pesë miq, jo me shumë para, por me shumë entusiazëm. Jeta në Egjipt në atë kohë ishte e lirë, pasi ende nuk ishte pushtuar nga europianët. Morëm me qera një barkë dhe për katër muaj udhëtuam nëpër Nil, duke gjuajtur dhe duke pikturuar nga Damiette në Philae. Pastaj u kthyem në Kajro dhe qëndruam katër muaj të tjerë, në një nga shtëpitë e Sulejman pashës, i cili na e dha me qera. Meqë ishim francezë, ai na ofroi një mikpritje të përzemërt. Shumë nga pikturat u pikturuan buzë Nilit, “Atit të lumenjve“. Pikërisht në Kajron kozmopolite të asaj kohe, kishte një përzjerje të çuditshme dhe mjaft piktoreske popujsh, racash, kostumesh, tradicionesh, besimesh, pasi edhe në këtë të fundit, Egjipti i Mehmet Ali Pashës kishte qenë mjaft tolerant: secili besonte fenë që donte pa asnjë kufizim. Maxime Du Camp në shënimet e tij të udhëtimit, shkruante gjithashtu për “arnautët me fustanellat e tyre, kostumet e tyre në ngjyrë të kuqe, me armët e ngjeshura në brez dhe mustaqet e gjata e të përdredhura…”

Studiuesi na kujton se në librin e tij biografik Mehmet Ali Pasha të botuar para disa kohësh dhe në Shqipëri, duke përshkruar vdekjen e pashait të madh dhe dhimbjen e popullit, historiani Sabry shkruan se «si gjithnjë, garda e tij ishte aty, ashtu si atëherë kur ishte nisur nga Kavalla shqiptare. Ajo e nderoi shqiptarin e madh e të tmerrshëm sipas zakonit të maleve të vendlindjes…»

Një tjetër përshkrim në lidhjet me shqiptarët, studiuesi e sjell në referencën e librit

Nili, ku francezi Maxime du Camp flet për taksaxhinjtë shqiptarë të Mehmet Aliut: «Shfaqja e një shqiptari të vetëm bënte që njerëzit të zhdukeshin nga e gjithë Nubia…»

Gérôme u kthye në Paris, shkruan Rama, me shumë tablo të pikturuara, si dhe me qindra vizatime që kishte bërë gjatë udhëtimit në Egjipt. Madje dhe në Siri, ai nuk kishte munguar të pikturonte shqiptarët që kishte gjetur atje, si Bashibozuku dhe qeni i tij, një arnaut me fustanellën e tij të bardhë dhe me dy pisqolla të mëdha në brez, etj.

Si erdhi magjepsja pas fustanellave, kujtesa është: “Edhe atje, ai kishte pikëtakuar shqiptarët, siç i kishte pikëtakuar dhe Floberi me Du Camp, siç shkruante Flober në ditarin e tij mbajtur në Jeruzalem: “Kohë më kohë ndonjë arnaut i armatosur duket që zbret në rrugët e tatëpjeta dhe bosh”. Kur shkonin drejt Jeriko-s, siç shkruante Du Camp, “Në një fortesë të hallakatur u pritëm nga Muhamet Aga. Të nesërmen, të shoqëruar nga tre sheikë dhe katër arnautë, të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë, u nisëm drejt lumit Jordan dhe ndaluam në një manastir murgjish ortodoksë të quajtur Mar-Sabah, ku në një bodrum ruheshin kokat e priftërinjve të masakruar nga beduinët”. Të nesërmen, kur u nisën drejt Sinait, Du Camp, shtonte: «Përpara, konsulli francez Jozef, pastaj Du Camp, Flober, Muhameti dhe shqiptarët… Dy orë më vonë mbërritëm në brigjet e Detit të Vdekur për t’u drejtuar pastaj në malet e luginës Cedron. Në Paris, në sallonet e pikturës së atyre viteve, arnautët u shfaqën vazhdimisht me hiret e tyre. Kuptohet menjëherë se Gérôme vazhdonte të ishte i impresionuar nga tiparet dhe fizionomia e tyre: fytyra të mprehta dhe hijerënda, herë-herë të vrazhda, por të urtë dhe tepër miqësorë kur të pranojnë si mikun e tyre. Në sallonin parizian të pikturës ai prezantoi tablonë Arnaut me fustanellë, ku dukej një arnaut shtatlartë me fustanellën e bardhë ulur në minder, i cili çuditërisht kishte një kapuç jeshil në kokë. Tabloja tjetër që ai paraqiti ishte Skenë rruge në Kajro (23,33×36,5 cm) e vitit 1870, ku para një hani shquhen shqiptarët me fustanella. Ja pra fustanella që aq shumë e kishte mahnitur jo vetëm Gérôme por dhe artistë të tjerë, ndër të cilët shkrimtarin Alexandre Dumas, i cili në kujtimet e tij përshkruan një natë kur në një sallon mondan të Parisit ishte shfaqur i veshur me kostumin shqiptar me fustanellë.”

Nxitja pse Rama është marrë me veprat pikturale të J. L. Gérôme për shqiptarët lidhet me vlerësimin në kontributin jo vetëm estetik, por edhe historik, pasi ai thotë studiuesi, më mirë se kushdo piktor tjetër europian, na shpalosi një pjesë të historisë së diasporës shqiptare përmes tipave dhe figurave interesante, të cilat ai i ka mishëruar në tablotë e tij. Ja pse dhe miku i tij Théophile Gautier theksonte se „Gérôme pikturon me syrin e një historiani“… “Dhe vërtet, si do t’i imagjinonim ne dy apo tre shekuj më pas ata shqiptarë që u enden në Orient dhe themeluan Egjiptin modern pa tablotë e Léon Gérôme? Si do t’i imagjinonim suliotët dhe arvanitasit e tjerë që i dhanë aq shumë Revolucionin grek pa tablotë e Delacroix, Dupré, Scheffer, Descamps, Bida, Valerio, Auguste, Papety e shumë të tjerë? Arti i tyre i bëri kështu një shërbim të jashtëzakonshëm historisë shqiptare, duke i dhënë portretin e heronjve të saj…“

Për Marko Boçarin

“Në vitin 1881, Gérôme udhëtoi dhe në Greqi. Ngjarjet e revolucionit grek ishin tashmë të largëta për krijuesit perëndimorë. Për Greqinë, veçanërisht në letërsi, ishte shkruar shumë në vitet e revolucionit dhe menjëherë pas tij. Madje dhe në pikturë, ndër të cilat mbeteshin të famshme tablotë e Delacroix, në veçanti Plagosja për vdekje e Marko Boçarit apo një numër i konsiderueshëm tablosh nga Ary Scheffer, autori i tablosë për gratë suljote, etj. Shtatë vjet më parë, Gérôme kishte punuar tablonë e Marko Boçarit dhe ishte njohur mirë me historinë e këtij sulioti, për të cilin shkruante gjerësisht dhe konsulli francez i Janinës, François de Pouqueville. Megjithatë, gjatë udhëtimit në Greqi, Gerome rigjeti përsëri fustanellën shqiptare nga e cila ende nuk ishte shkëputur, një element që i jepte pikturës së tij diçka origjinale, dritë, ekzotizëm. Kështu, në kthim, ai do të pikturonte përsëri këta arnautë që në Greqi quheshin arvanitas dhe kishin qenë një nga shtyllat kryesore të luftës greke për pavarësi.”

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤