Të jesh një grua e ndyrë

nasty
View Gallery
1 Photos
nasty
Të jesh një grua e ndyrë
nasty

Jam një grua e ndyrë, shkruante 19 –vjeçarja amerikane Nina Donovan në poemën e saj me nota të forta proteste dhe që u interpretua përpara turmave qindra mijëshe që kishin zbarkuar në Uashington për të marshuar kundër presidentit të ShBA-së, Donald Trump,  i cili vetëm një ditë më herët kishte marrë detyrën. Ishin deklaratat e tij me frymë mizogjine – një syresh ndaj  kandidates  së  demokratëve, Hillary Clinton të cilën e quajti “Nasty woman”,  thënë shqip një grua të ndyrë – që i bënë gratë amerikane t’i bashkoheshin thirrjes së disa organizatave dhe të protestonin nëpër rrugët e kryeqytetit amerikan.  Ditën që gratë dilnin për të protestuar me pankarta kundër politikave  që duket se i kthejnë pas në kohë të  drejtat e tyre – Trump, në shoqërinë  e tetë anëtarëve të stafit të tij, (të gjithë burra meqë ra fjala) firmoste për të ndaluar financimin e grupeve që ofrojnë këshillim për abortin.

Për të drejtat riprodhuese, për dinjitetin njerëzor, kundër racizmit, seksizmit, ksenofobisë, homofobisë e gjithfarëlloj fobie tjetër, gratë dhe vajzat amerikane ( dhe jo vetëm ato,  pasi marshimit iu bashkuan simotra nga e gjithë bota, në qytete të rëndësishme, për të protestuar kundër politikave të presidentit Trump) vendosën që “pussy” i tyre të hakmerrej- duke përdorur një prej shprehjeve të vetë Trump se “nuk kishte asnjë problem t’i kapje gratë nga p**i.

“Jam e ndyrë si betejat që luftuan gjyshet e mia për të më futur në dhomën e  votimit”-shkruan adoleshentja Donovan në poemën e saj  politike, që mund edhe të pagëzohej si manifesti i atij marshimi të datës  21 janar të këtij viti.

Por në fund të fundit a nuk janë të drejtat e gjysmës së shoqërisë njerëzore çështje politike? A nuk duhet të vendosin vetë mbi trupin e tyre. Përtej miteve feministe, Donovan parashtronte një detaj të rëndësishëm mbi pabarazinë( jo vetëm në paga). “Më thoni pse pecetat dhe tamponët ende taksohen kur Viagra dhe Rogaine jo?  A është njolla e gjakut në xhinset e mia më e sikletshme se rrallimi i flokëve të tu?”,   bërtiste aktorja Ashley Judd,  teksa i jepte zemër marshueseve  me vargjet e së resë.

Lufta  e paepur mes konservatorëve (të zellshmëve që duan të ruajnë traditat e mira dhe mbi të gjitha familjen e shëndetshme ) dhe agjendës feministe ( ato gratë e mëngjra që kërkojnë ta shkatërrojnë atë duke thënë se është në rregull të kryesh një abort, është në rregull të kënaqësh trupin tënd përmes lirisë seksuale, se është në rregull që dy gra apo dy burra të duhen, të martohen e të krijojnë familje, etj., etj.), së cilës nuk i shihet fundi në horizontin e historisë njerëzore vijon çdo ditë në fushëbetejë ku herë fiton terren njëra palë e herë duket se pala tjetër rimëkëmbet. Ç’është e vërteta, megjithë përpjekjet e grave –qoftë  edhe ato të lëvizjeve më ekstreme të feminizmit, ende fitimtar është patriarkalizmi, ose thënë më shkoqur fuqia e burrave, maskilizmi.

Një vajzë e re që flet për lirinë e saj seksuale, për tërheqjen që ka ndaj femrave e meshkujve, për lakuriqësinë si një formë çlirimi nga ndrydhjet e vjetra, sigurisht që bën ende habi në Tiranën e vitit  2017, ku e gjithë kërshëria fokusohet te hollësitë nën çarçafë…

Me daljen e saj në emisionin “Zonë e lirë” Egla Harxhi e ka provokuar jo pak opinionin publik. Por me ç’qëllim?  Ajo thotë se gjithçka e bën për lirinë…atë të femrës. A do ia dalë të kalojë në “llogoren” e saj në këtë luftë të pambarimtë pushtetesh gjinorë  qoftë edhe një tjetër?  Kjo mbetet për t’u parë. Por me planet e saj për të ndërgjegjësuar  sa më shumë vajza e gra- këtë edhe në rrugë insitucionale me themelimin e një OJF –je, duket serioze dhe me vullnet, përtej një truku komercial për të tërhequr rreth vetes prozhektorët e minutave të famës.

Fatime Kosumi, e njohur me emrin e artit Andrra ,  flet për projektin e saj të ri muzikor, një album me pesë këngë , titulluar “Palinë”. Pas një hulumtimi në treva të ndryshme të Kosovës,  ka mbledhur rapsodi dhe këngë dasmash, ajo sjell përmes muzikës moderne fenomenin e martesave të vajzave në moshë të mitur. Jo vetëm i trevave shqiptare, ky është problem global, ku sot numëron rreth 700 milion nuse-fëmijë. Si feministe artin e saj, Kosumi e sheh si armë për fuqizimin jo vetëm të vajzave dhe grave, por edhe për të mirën e djemve dhe burrave.

Një tjetër histori që do i inatoste partizanët e ruajtjes së traditave të familjes së shëndoshë, është ajo e një transvestiti që e hasni shpesh rrugëve të kryeqytetit shqiptar.

Pa asnjë dozë ironie është e drejta e tyre(konservatorëve) të ngrenë zërin dhe të kundërshtojnë për të gjithë ata elementë që kërkojnë të minojnë mënyrën tradicionale të jetesës  ashtu si edhe e atyre që rreshtohen si liberalë, të kenë lirinë për të gëzuar të paktën trupat e tyre, pa u bërë kjo çështje e fateve të shoqërisë njerëzore…

“Pi**at tanë janë për kënaqësinë tonë. Janë për të pjellë breza të rinj të pistash, vulgare, të ndyra, krenare, të krishtera, myslimane, budiste, sikh ,etj., … për breza të rinj grash të ndyra” –përfundon e reja amerikane, Donovan poemën e saj ritmike, ndërsa  gra në të gjithë botën bërtitën fort se…Po, janë gra të ndyra!

 

*Suadela Balliu

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤